Terapia me Qeliza Staminale në Trajtimin e Dështimit të Funksionit të Zemrës

Dështimi i funksionit të zemrës është një problem serioz i cili ndodh kur zemra nuk është në gjëndje të pompojë mjaftueshëm sasi gjaku për të përmbushur nevojat e trupit.

Dështimi i funksionit të zemrës prek miliona njerëz në mbarë botën. Është vlerësuar se vetëm në Shtetet e Bashkuara, mbi 6 milionë njerëz, vuajnë nga dështimi i funksionit të zemrës.

Jo vetëm që dështimi i funksionit të zemrës është shpesh fatal, por jetesa me këtë sëmundje të zemrës e ndikon në mënyrë domethënëse cilësinë e jetës. Kjo sëmundje prek njerëz në të gjitha moshat dhe mund të ndodhë gradualisht me kalimin e kohës ose edhe papritur. Ajo shkaktohet nga një sërë faktorësh, përfshirë, presionin e lartë të gjakut, nivelin e lartë të kolesterolit dhe diabetin.

Ndërsa trajtimet tradicionale për dështimin e funksionit të zëmrës fokusohen në manaxhimin e simptomave, kërkimet më të fundit nga Universiteti i Mjeksisë i Çikagos ofrojnë shpresë për një kurë potenciale. Në studimin e publikuar në Mars 2023, hulumtuesit ja arritën të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun për një atak kardiak dhe për hemorragji/ishemi cerebrale në pacientët me dështim serioz të funksionit të zemrës.

Studimi në fjalë është prova klinike më e madhe deri më sot me terapinë me qeliza staminale në pacientët me dështim të funksionit të zemrës. Rezultatet prej tij sugjerojnë për një trajtim i cili mund të përmirësojë ndjeshëm funksionin e zemrës dhe cilësinë e jetës për ata të cilët vuajnë nga sëmundja e dështimit të zemrës.

Deri në 75% Zvogëlim të Riskut për Atak Kardiak ose për Hemorragji/Ishemi Cerebrale

Opsionet e trajtimit aktualisht përfshijnë mjekimin medikamentoz për të kontrolluar presionin e gjakut, diuretikët për të zvogëluar grumbullimin e lëngjeve në trup, dhe ndryshime të stilit të jetesës të tillë si ndërprerjen e duhanpirjes dhe ushtrimet fizike rregullisht. Ndërkohë që këta trajtime mund të ndihmojnë në manaxhimin e simptomave, ata nuk ofrojnë një kurë.

Studimi i Universitetit të Çikagos u krye midis 2014 dhe 2019 dhe përfshiu gjithsej 565 pacientë diagnostikuar me dështim të funksionit të zemrës, të moshës 18 deri 80 vjeç, me muskul të zemrës të dobësuar. Pacientët u caktuan në mënyrë rastësore që ose të merrnin terapinë me qeliza staminale ose një procedurë placebo, në 51 qëndra studimi të shtrira në Amerikën e Veriut.

Gjatë terapisë me qeliza staminale, pacientëve ju administruan përafërsisht 150 milion qeliza staminale mezenchimale (MSC) përmes një kateteri drejt zemrës së tyre. Këto qeliza e patën burimin nga palca e kockës e tre dhuruesve të rinj të shëndetshëm. Më tej, pacientët u monitoruan për tre vjet për ngjarje të lidhura me zemrën e tyre ose për aritmi të nivelit kërcënues për jetën.

Nga studimi raportohet se, brënda një viti, një përmirësim i vogël por sidoqoftë domethënës statistikisht, u vu re, në fuqinë pompuese të barkushes së majtë të zemrës së tyre. Përgjithësisht, pacientët, përjetuan një reduktim të riskut për atak kardiak ose hemorragji/ishemi cerebrale prej 58%, ndërsa ata me nivele të larta të inflamacionit përfituan nga një reduktim deri në 75%.

Autori udhëheqës i studimit, Doktor Emerson Perin, shpjegoi se kur ju i vendosni këto qeliza staminale tek një zemër me inflamacion, ato aktivizojnë qeliza të cilat sekretojnë anti-inflamatorë të ndryshëm siç janë interleukinat. Efektet e kësaj zgjatën në një mesatare prej 30 muajsh, çka quhet se është një përfitim afatgjatë kur krahasohet me trajtimet e tjerë terapeutikë.

Hapa Pozitivë për Terapinë me Qeliza Staminale të Zemrës

Studimi në fjalë është një hap gjigant përpara në trajtimin e dështimit të funksionit të zemrës. Ai sugjeron se terapia me qeliza staminale, kur përdoret e lidhur edhe me medikamentet për dështimin e funksionit të zemrës, mund të jetë një mënyrë e sigurtë dhe me përfitime për të zvogëluar problemet kryesore në këtë sëmundje fatale.

Hulumtuesit gjetën se nuk kishte diferenca të mëdha në efektet e padëshiruara të raportuara mes pacientëve që morën terapi me qeliza staminale dhe atyre të grupit të kontrollit, si edhe nuk pati shqetësime serioze për sigurinë në lidhje me procedurat.

Duke vështruar përpara për nga e ardhmja, Doktor Perin deklaron: “Ne kemi tashmë një armë të re kundër dështimit të funksionit të zemrës dhe ky studim me të vërtetë i hap dyert dhe çan rrugën që ne të jemi në gjëndje të arrijmë atje”.

Ky studim “gjenerues-hipotezash” tregon se terapia me qeliza staminale është një pjesë e madhe e kësaj arme të re kundër dështimit të funksionit të zemrës, por se nevojiten më tepër prova klinike për të konfirmuar efektet e këtyre qelizave staminale në ngjarjet e atakeve kardiake, hemoragjive/ishemive cerebrale, dhe ngjarjeve të tjera.