Pacienti i Londrës bëhet personi i dytë i cili çlirohet plotësisht nga HIV, në vijim të një transplanti qelizash staminale të cilit ai ju nënshtrua për trajtimin e kancerit

Trajtimi me qelizat staminale i Limfomës Hodgkin i pacientit anonim nga Londra ka sjellë shpresa të mëdha për mbi 37 milion njerëz në botë që aktualisht jetojnë me HIV.

Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar konfirmuan se një pacient nga Londra ndodhet tashmë në remision qoftë prej HIV ashtu edhe prej kancerit, pas një procedure transplanti të suksesshëm qelizash staminale së cilës ju nënshtrua.

I diagnostikuar si pozitiv me HIV në 2003, ai, më tej zhvilloi një lloj agresiv kanceri - Limfomën Hodgkin, në 2012. Pasi kreu seanca të gjata kemioterapie e radioterapie, ai ra dakord t'i nënshtrohej një transplanti qelizash staminale në 2016.

Që prej asaj kohe, progresi i shëndetit të tij u monitorua përgjatë një periudhe 18 mujore dhe tani është konfirmuar se 'nuk ka më gjurmë' të HIV dhe se ai ndodhet në remision për të dyja sëmundjet e tij.

Mjeku i tij e përshkroi pacientin e tij si ‘funksionalisht, të kuruar’ dhe ‘në remision’, por u tregua i matur kur shtoi se ‘është tepër herët të thuash se ai është shëruar’.

Specialistë të kërkimeve mjekësore i kanë njohur e pranuar rezultatet si ‘inkurajuese’ dhe janë plot shpresë se ky sukses i arritur do të përsëritë rastin e njohur si pacienti i Berlinit.

Po cili ishte pacienti i Berlinit?

Timothy Ray Brown, i njohur ndryshe si ‘pacienti i Berlinit’, ishte i pari person i njohur si i kuruar prej HIV në vijim të një transplanti qelizash staminale në 2007. Që prej ditës së parë pas transplantit, ai vijon të jetë ende i çliruar nga HIV edhe pas 12 vitesh.

Suksesi i trajtimit të pacientit të Londrës konfirmon se studimi i pacientit të Berlinit tashmë nuk mund të konsiderohet një anomali.